Secondary Adv

Tenderi për sistemin e verifikimit të automatizuar në porte përfundon në KPP

Procedura për instalimin e sistemit të automatizuar të kontrollit kufitar në Portin e Durrësit dhe Sarandës është ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik, pak ditë pas shpalljes së fituesit.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), ankimi lidhet me mënyrën e vlerësimit të ofertave nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pranë Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP).

 

Kjo është procedura e pestë e ankimuar gjatë tre ditëve të fundit ku autoritet kontraktor rezulton Operatori i Blerjeve të Përqendruara.

 

Oferta fituese mbi 1 milion euro

Procedura përfundoi me shpalljen fitues të bashkimit të operatorëve ekonomikë “Albascan” Sh.p.k dhe “Image & Communications Development” Sh.p.k.

Oferta e paraqitur nga bashkimi i kompanive ishte rreth 100 milionë lekë, ose pak më shumë se 1 milion euro pa TVSH.

 

Fondi limit i tenderit ishte përcaktuar në rreth 1.4 milionë euro.

Projekti synon instalimin e sistemit “Border Controller” në dy portet kryesore të vendit, duke zgjeruar përdorimin e teknologjisë biometrike të verifikimit që aktualisht përdoret në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.

 

Si do të funksionojë sistemi biometrik

Sistemi parashikon automatizimin e kontrollit kufitar përmes e-Gate-ve, ku udhëtarët do të verifikohen nëpërmjet leximit të pasaportës elektronike dhe krahasimit biometrik të të dhënave në kohë reale.

Sipas dokumenteve të tenderit, sistemi do të funksionojë në mënyrë lokale (on-premise), pa lidhje interneti dhe pa ruajtje të të dhënave pas përfundimit të procesit të verifikimit.

 

Kontrata përfshin zhvillimin e aplikacionit të verifikimit biometrik, furnizimin dhe instalimin e pajisjeve si lexues dokumentesh, kamera, sensorë dhe mekanizma hyrje-dalje, si edhe integrimin me sistemet qendrore të Policisë së Shtetit.

Në dokumente parashikohet gjithashtu ndërveprimi me platformat TIMS, e-Visa, FER dhe Interpol, si dhe ofrimi i trajnimeve për përdoruesit dhe mirëmbajtja e sistemit.

 

Projekti mund të zgjerohet në pika të tjera kufitare

Procedura e prokurimit ishte shpallur më 19 shkurt dhe u mbyll më 7 prill.

 

Sipas dokumentacionit teknik, projekti parashikon edhe mundësinë e zgjerimit të sistemit të automatizuar të kontrollit kufitar në pika të tjera detare dhe tokësore në të ardhmen.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat